Zvicër, 29 prill 2014 – Një 25-vjeçar shqiptar ka mundur të arratiset nga dhoma e paraburgimit në Zvicër. Ngjarja ka ndodhur në Liestal, në kantonin Baselland, ku kontejnerët janë kthyer në dhoma paraburgimi. Mësohet se 25-vjeçari shqiptar akuzohet për trafik kokaine. Sipas drejtorisë së burgjeve në këtë zonë, shqiptari ka mundur të kalojë dy pengesa pa u vënë re dhe pa përdorur dhunë ndaj rojeve.

Policia është vënë në ndjekje të të riut shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Sipas policisë shqiptari në përpjekje për t’u arratisur është plagosur gjatë rrugës, pasi janë gjetur gjurmë gjaku në sallat e mëdha.

Kontejnerët që shërbejnë si qeli burgu janë të vendosura në një sallë të madhe e të mbyllur, kështu që shqiptarit gjatë ikjes që ka ndodhur mbrëmë në orën 22:00 të ditës së djeshme i është dashur të kalonte dy pengesa. Sipas drejtorisë për siguri, kriteret e sigurisë në burgun e improvizuar do të ashpërsohen edhe pse ky do të jetë muaji i fundit para heqjes së tij, shkruan basellandschaftliche Zeitung.ch.

Mbetet ende e paqartë mënyra se si i riu, i gjatë vetëm 1.64 m ka mundur të arratiset nga burgu. Kontejnerët që shërbejnë si qeli burgu janë të vendosura në një sallë të madhe e të mbyllur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/