Vendimi i Gjykatës së Durrësit për masat e sigurisë ndaj personave të ndaluar pas arratisjes së Altin Ndocit ka sjellë reagime të ndryshme nga avokatët mbrojtës.

Avokati Zace Islami, që mbron Desdemon Pazajn, u shpreh se akuza e Prokurorisë për shpërdorim detyre është e paqartë dhe jo konkrete.

“Pretendimi i Prokurorisë është për shpërdorim detyre. Shpërdorimi i detyrës është një magazinë e madhe me shumë nene brenda, por nuk ka asgjë konkrete të saktë, të paktën për klientin tim. Unë kërkova që arrestimi të shpallet i paligjshëm dhe pa masë sigurimi. Klienti im i ka zbatuar të gjitha pikat e protokollit dhe nuk mban përgjegjësi për atë që ka ndodhur jashtë dyerve të burgut”, u shpreh Islami.

Edhe avokati Ilia Ilia, mbrojtës i kryeinfermierit Aulon Çuko, kundërshtoi vendimin e gjykatës, duke paralajmëruar ankim.

“Mendoj që vendimi i gjykatës që ka vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe ka caktuar masën e arrestit në shtëpi është i pabazuar në ligj. Ndalimi ka qenë plotësisht i paligjshëm dhe gjatë gjykimit nuk u provua asnjë shkelje e kornizës ligjore. Klienti im ka rol ekzekutues si infermier dhe jo vendimmarrës. Të gjitha aktet janë përpiluar dhe firmosur nga mjekja e burgut. Ne do ta ankimojmë vendimin dhe besoj që do të dëgjohemi”, u shpreh avokati Ilia.

Ndërkohë, avokatja Aishe Dervishanji, që mbron dy prej personave për të cilët gjykata vendosi masën e detyrimit për paraqitje, mbështeti vendimin e dhënë.

“Jam dakord me vendimin e gjykatës”, u shpreh ajo shkurt.

Gjykata e Durrësit vendosi masat e sigurisë, arrest në burg për Fatjon Baçin, Sal Ferollarin dhe Desdemon Pazajn, arrest në shtëpi për Aulon Çukon dhe Violeta Ukën, si dhe detyrim për paraqitje për Aranit Çelën, Dorjan Saraçin dhe Preng Marvatajn.