KORÇË, 24 nentor 2013 – Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar sot arrestimin e 21 punonjësve të burgut të Drenovës që nuk penguan 7 të dënuar me burgim të përjeshtëm të arratisen nga ky institucion. Sipas Prokurorisë së Prëgjitshme punonjësit për të cilët është lëshuar urdhër arresti dyshohen për shpërdorim detyre. Urdhri për arrestimin është zbatuar nga policia e Korçës e cila ka vënë në pranga 21 punonjësit e policisë së burgut. 21 të arrestuarit identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur do përballen pas 72 orësh me Gjykatën ku do njihen me masën e arrestit nga prokurorët.
Një ditë më parë rreth orës 19:30 shtatë të dënuar me burgim të përjetshëm nën kërcënimin e armëve kanë mundur të dalin nga burgu i Drenovës dhe të arratisen në drejtime të ndryshme. Skema e arratisjes ende nuk është zbardhur plotësisht por nga të dhënat paraprake dyshiohet se plani është organizuar prej disa muajsh dhe të dënuarve u janë future armë dhe mjete të tjera të pa lejuara në qeli nga jashtë. Policia ka mundur të kapë deri tani 4 prej të dënuarve ndërkohë që për tre të tjerët vazhdojnë kërkimet në të gjithë vendin.





