6nentor 2015 – Lirohen dy efektivët e policisë që u arrestuan pak ditë më parë, pas arratisjes së 26-vjeçarit Bledar Zefi nga komisariati Nr.3 në Tiranë. Mësohet se ndaj efektivëve Bajram Elezi dhe Arsela Hajdini, është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Arsela Hajdinaj, me detyrë trup shërbimi patrulle dhe Bajram Elezi, me detyrë nd/specialist dhe përgjegjës i dhomave të sigurisë, u arrestuan për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
26-vjeçari Bledar Zefi u arratis pak ditë më parë nga komisariati nr. 3 në Tiranë, pak minuta pasi u arrestua, pasi ishte dënuar me 10 vite burg në mungesë për vjedhje nga shteti italian. Plani i arratisjes së të riut duket se ka qenë spontan. Pasi ka kërkuar të shkojë në tualet, dy efektivë policie e kanë nxjerrë nga dhoma e shoqërimit. Ka qenë pikërisht ky moment kur i riu ka shtyrë efektivin që e shoqëronte si edhe policen femër që ishte pas dhe ka vrapuar drejt derës kryesore. Duke përfituar nga kangjellat e shkurtra që rrethojnë komisariatin, ka mundur të dalë në rrugë dhe të ikë në drejtim të paditur.
SHÇBA nxori përgjegjës për ngjarjen dy efektivët Bajram Elezi dhe Arsela Hajdini. Kjo është hera e dytë që një i ndaluar arratiset nga ambientet e këtij komisariati, pas arratisë së këngëtarit Arkimed Lushaj.
/portali DurresLajm/