Një 25 vjeçar është arratisur në mënyrë spektakolare nga një rajon policie në Las Vegas të premten e kaluar.
Alonso Perez, i dyshuar për vrasje, ishte i mbyllur në një dhomë ku do të merrej në pyetje, teksa ishte me pranga në duar.
Ai ka arritur të këpusë prangat, njëra prej të cilave ishte e vendosur në një ganxhë në një tavolinë të palëvizshme, ndërsa tjetra në dorën e tij. I ka përdredhur me forcë deri në atë pikë sa i ka këputur.
Më pas, është ngjitur në një karrige dhe ka arritur përmes tavanit të dalë nga dhoma ku po qëndronte.
Edhe pse i lidhur me zinxhirë në këmbë arriti të vjedhë një kamion në ambientet e rajonit të policisë dhe me të arriti të arratiset.
Kamioni u gjet më pas disa kilometra larg Las Vegasit i braktisur. Arratisja e tij nuk ka zgjatur shumë, pasi këtë të martë ai është rivënë në pranga nga policia.





