DURRES – Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg ” për Fatma Buziun, 18-vjeçaren e akuzuar për vjedhjen e 88 mijë frangave zvicerane dhe 4 milionë lekëve të reja në banesën e të atit, Shkëlqim Buziu. 

Kjo masë u dha pas kërkesës së prokurores së çështjes, Rabjana Halili, e cila e cilësoi si të ligjshëm arrestimin e saj, duke pohuar se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Fatma Buziu është autorja e vjedhjes së parave, fakt i pohuar edhe nga vetë e pandehura. 

Nga ana tjetër, avokati i të pandehurës, Halil Hoxha, ka kundërshtuar arrestimin e vajzës, pasi nuk është kapur gjatë kryerjes së veprës penale. Hoxha ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 18-vjeçares. 

Ndërkaq, vetë e akuzuara është shprehur e penduar për veprimin që ka kryer. Pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe palën mbrojtëse, trupi gjykues i kryesuar nga Astrit Faqolli, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg". 

Arrestimi i 18-vjeçares, është bërë nga efektivat e policisë më 3 janar pasi vërtetuan, se në periudhën korrik-dhjetor të vitit që lamë pas, në një kasafortë në banesën e të atit të saj Shkëlqim Buziu, ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash. Në momentin e arrestimit, policia bën të ditur se në cilësinë e provës materiale 18-vjeçares i është bllokuar shuma prej 600 mijë lekësh të reja. 

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme u bë dhe arrestimi i të fejuarit të saj, me të cilin bashkëjetonte prej disa muajsh, Ismail Xhindit, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vjedhje dhe moskallëzim krimi.