Nën masa të rrepta sigurie, gjykata e Durrësit ka nisur seancat e masave të sigurisë për tre të dyshuarit si vrasës me pagesë, Gazmend Dervishi, Bruno Shehu e Dritan Nikolli. Gjykatësja Anita Mici vendosi me kërkesë të avokatëve mbrojtës që seancat të zhvillohen me dyer të mbyllura për mediet, ndërsa për të tre vendosi “arrest me burg”.

Tre të arrestuarit dolën së bashku para gjykatës me akuzat “vrasje në tentativë”, “vrasje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa asnjë prej tyre nuk kishte pajtuar avokat mbrojtës, dhe u mbrojtën me avokat kryesisht të përcaktuar nga gjykata.   

Të tre të arrestuarit kanë mbërritur në gjykatë nën masa të larta sigurie, dhe në sallën penale nuk është lejuar asnjë prej familjarëve të tyre të marrë pjesë në gjyq. E gjithë gjykata dhe kati i tretë, ku zhvilloheshin masat e sigurisë, është blinduar nga policia, e cila i trembej një hakmarrjeje të mundshme.

Si asnjëherë më parë, gjykata dhe kati i tretë i saj është mbushur me punonjësit e rendit, po kështu edhe salla penale, pavarësisht se në të gjendej trupi gjykues, prokurorja dhe pak gazetarë e kameramanë. E pavarësisht pjesëmarrjes së madhe të punonjësve të policisë, i arrestuari Gazmend Dervishi nuk ngurroi të kërcënonte gazetarët në sallë, nëse e filmonin apo fotografonin atë, në prani të policisë, gjykatëses e prokurores së çështjes, Alma Felaj.