Gjykata ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Ajas Sulejmanin i cili para disa ditësh përplasi me makinë në vijat e bardha çiftin Arjan e Vilma Konomi dhe foshnjën e tyre 3-muajshe.
Prokurororja Elfrida Bregova kërkoi arrest me burg për Ajas Sulejmanin për tre akuza, atë shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasoje, drejtim te automjeteve në mënyre te parregullt nën ndikimin e drogës, largim nga vendi i aksidentit. Për shkak se në këtë aksident u rrezikua jeta e një të mituri, dosja do të përfaqësohet nga një prokuror për të miturit siç është Elfrida Bregova.
Policia ka referuar të gjithë dinamikën e aksidentit ku përmend se në Rrugën e Kavajës, një mjet fuoristradë është përplasur me Arjan dhe Vilma Konomin. Çifti ka pasur karrocën e dorës me fëmijën tre muajsh, karroca u rrëzua pa u goditur, thonë ekspertët e policisë rrugore.
Mjeti është lënë në vendngjarje, aty u gjetën dokumenta personale dhe një telefon, pas rreth dy orësh është e bërë mundur kapja e drejtuesit të automjetit që u gjet te një spital privat. Nga testi i dragerit rezultoi se ai nuk kishte pirë alkool, por nga testi drogëmatës rezultoi se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike, specifikisht: marijuanë dhe metamorfinë.
Megjithatë policia nuk përcakton se cila është përqindja e drogës mbasi ka dorëzuar për analizë në gjak konfirmimin për llojin e drogës nëse është metamorfinë si dhe marijuanë.





