Hamite Shemlikaj është e ëma e O. Shemlikajt, e akuzuar për "shpërdorim detyre" nga Prokuroria e Durrësit, si njëra nga personat e përfshirë në dosjen e abuzimeve me tokat në Gjirin e Lalëzit. Ndaj Shemlikajt, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë "arrest me burg".
23-vjeçarja, e cila ushtronte detyrën e sekretares arshivë protokoll në ish-Komunën Ishëm, aktualisht punonjëse pranë kësaj njësie administrative, është një ndër të arrestuarit e sotëm në qytetin bregdetar.
Me zërin që i dridhet, zonja Hamite flet për të bijën, teksa thotë për "DurrësLajm" se ajo nuk ka kryer asnjë veprim në shkelje të ligjit, ndërsa sot akuzohet për shpërdorim detyre.
"Unë nuk e di sesi mund të kishte punuar më mirë Ornela Shemlikaj në Komunën e Ishmit, po këta dashkan njerëz të pandershëm që të ecin përpara. Ne akoma nuk kemi marrë tokën tonë, këta akuzojnë vajzën për shpërdorim detyre", – shprehet Hamite Shemlikaj.
Duke hedhur poshtë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit nga ana e vajzës së saj, zonja Hamite thotë se Ornela nuk ka marrë asgjë tjetër veç pagës gjatë kohës që ka punuar në Komunë, ndaj dhe shpreson që e vërteta të dalë në dritë sa më shpejt.
Ndiqni prononcimin e Hamite Shemlikës për DurrësLajm:
G.D.





