Policia e Qarkut Durrës ka ndërmarrë disa veprime gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar penalisht disa shtetas për vepra të ndryshme penale.

Në Durrës, u arrestua në flagrancë një 30-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe u përplas me një mjet tjetër në lagjen nr. 17, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Po në Durrës, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një 73-vjeçare, e dyshuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Në Manëz, një 35-vjeçar nga fshati Armath u procedua penalisht për shpërdorim toke.

Ndërkohë, në Kavajë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të një vjedhjeje në banesë, ku janë marrë disa orendi.

Në Shijak, u nis procedim penal në gjendje të lirë për një shtetas nga Durrësi, i dyshuar se ka kanosur me fjalë një grua të moshuar pas një konflikti për prishjen e një muri të përbashkët.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.