Policia e Durrësit njoftoi sot se kishte prangosur 5 persona, administratorin e një kompleksi tek “Kepi i Rodonit” dhe 4 shtetas të tjerë.

Operacioni ishte në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e zënies së hapësirave publike dhe ndërtimeve të paligjshme.

Policia njoftoi se arrestoi në flagrancë shtetasin Selim Alla, 43 vjeç, banues në  Ishëm, Durrës, administrator i një kompleksi në “Kepin e Rodonit”, Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, si dhe shtetasve Elton Likmeta, 21 vjeç; Xhanfranko Bushi, 27 vjeç, banues më Ishëm, Durrës; Florenca Doka, 43 vjeç, banues në Lushnjë dhe Fatjon Manuka, 23 vjeç, banues në Manzë, për vepren penale “Dhënie ndihmë për  ndërtim të paligjshëm”, pasi ishin duke kryer punime të ndryshme në ambientet e këtij kompleksi.

E ndërsa këta persona përfunduan pas hekurave, që nga fillimi i kësaj jave, Policia Bashkiake e Durrësit ka ndërmarrë një aksion për heqjen e objekteve të paligjshme të vendosura në rërë apo trotuareve përgjatë zonës së plazhit. Bëhet fjalë për tabelat metalike, mini-bare, kënde lodrash, etj.

Ndërkohë, të hënën, pritet të nisë përgjatë vijës bregdetare të vendit tonë aksioni i madh për shembjen masive të objekteve pa leje nga Shëngjini në Ksamil. 

Aksioni u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në fillim të javës që po lëmë pas, ndërsa ndodhej për një inspektim në Lezhë.

Ndërkohë në Durrës nuk është ende e qartë se cilat janë objektet nga do të nisin shembjet e IKMT-së dhe nëse krahas shembjeve do të ketë edhe arrestime të tjera apo pocedime penale për të tjerë shtetas që kanë abuzuar me ndërtimet e paligjshme. Në sitën e këtij aksioni mund të përfundojnë edhe zyrtarë që kanë “mbyllur sytë” para këetyre abuzimeve.

Tre ditë më parë, kryeinspektori vendor i Mbrojtjes së Territorit, Dorian Mema tha se shpejti do të nisë aksioni edhe në vijën bregdetare të bashkisë Durrës.

“Kemi dërguar informacion pranë IKMT Tiranë për objektet pa leje. Në zonën e plazhit nuk ka shumë objekte pa leje, por jashtë Durrësit ka”, tha kreu i IMT Durrës, Dorian Mema.