Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri ka reaguar pas arrestimit të dy punonjësve bashkiakë për mbylljen e 3 shkollave dhe 1 kopshti që ishin caktuar si qendra votimi.

Në një deklaratë për mediat, Kapri i bëri thirrje policisë që t'i lironin, pasi sipas tij arrestimi ishte i paligjshëm.

"Më 28 qershor forcat e Policisë së Shtetit, të komisariatit të Pogradec kanë arrestuar dhe shoqëruar padrejtësisht punonjës të administratës së bashkisë të cilët ishin në zbatim të plotë të ligjit dhe detyrës së tyre funksionale. Bashkia Pogradec dënon këtë akt të turpshëm që sjell në mendjen e çdo qytetari masat patetike të regjimit komunist duke dashrtu të përcjellë frikë dhe kërcënim ndaj banorëve të Bashkisë Pogradec. I bëjmë thirrje policisë së Shtetit dhe prokurorisë të lirojë menjëherë dy punonjës e adiminstratës së bashkisë pasi këta punonjës si çdo ditë tjetër ndodheshin panë këtyre shkollave duke kryer punën e përditshme për përmirësimin e kushteve të shkollave, kopshteve dhe ruajtjen e ambienteve të tyre."

Ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe mos bien pre e asnjë provokimi.

"U bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të mos tremben dhe frikësohen nga ky lloj presioni, të mos bien pre e asnjë lloj provokimi duke shmangur çdo lloj situate konfliktuale duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri duke mos u bërë shkas për përplasje civile."

Kapri denoncoi edhe rastin e dëmtimit të një shkolle në fshatin Buqezë.

"Gjithashtu denoncojmë dhe kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për arrestimin e personave që mëngjesin e sotëm kanë shkatërruar në mënyrë të paligjshme dyert e instituticioneve arsimore që janë në pronësi të bashkisë. Bashkia e Pogradecit është në mbrojtje të ligjit dhe kushtetutës dhe në zbatim të plotë të dekretit të Presidentit të Shqipërisë. Sot në mëngjes jemi njoftuar, normalisht kemi lajmëruar edhe policinë, se në një fshat të Pogradecit është shkallmuar dera. Kur vajti punonjësi ynë për të hapur derën vuri re që ishte shkallmuar gjatë natës."