Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar pas arrestimit të ish-drejtorit të Prokurorimeve të OSHEE, Erlis Bushati.
OSHEE ka bërë me dije që është në mbështetje të organeve të ligjzbatuese në kryerjen e detyrës, teksa shton se të gjitha materialet janë në dispozicion të SPAK.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbështet organet ligjzbatuese në kryerjen e detyrës së tyre për verifikimin e çdo dyshimi e pretendimi për abuzim apo shkelje ligjore nga çdo punonjës apo ish-punonjës i kompanisë.
Referuar rastit të publikuar ditën e sotme në media, OSHEE sqaron se ka vënë në dispozicion të plotë të SPAK të gjitha materialet e kërkuara dhe ka ofruar bashkëpunim maksimal për të zbardhur plotësisht këtë rast hetimi”, njofton OSHEE.
Në pranga ka rënë ish-drejtori i prokurorimeve të OSHEE-së Erlis Bushati, ndërsa është shpallur në kërkim ish-shefja e kabinetit e drejtorit të OSHEE-së, Albana Ferra. Janë arrestuar edhe Irma Derguti dhe Athinta Papa.





