Shtatë punonjës të ZRPP-së së Kavajës janë shoqëruar mëngjesin e sotëm e sotëm në polici prej zyrave të tyre në dhomat e komisariatit ku po merren në pyetje nga prokurorët e antikrimit ekonomik.
Një ditë më parë e njëjta gjë ndodhi në zyrën e ALUIZNI-t në Kamëz.
Abuzimet apo favorizimet kundrejt shumave të parave janë praktika të njohura që ndodhin rëndom në çdo zyrë të shtetit nga zyrtarët që e dinë se nuk do të jenë aty për një kohë të gjatë apo për gjithë jetën.
Duke e ditur faktin se në zyrat ku punojnë janë të punësuar kryesisht nga partitë ku militojnë, këta zyrtarë nuk harrojnë të kryejnë edhe “qokat” e tyre. Por balancat ndryshojnë pasi partitë bien e dalin në opozitë.
I tillë është rasti i ZRPP-ve dhe degëve të ALUIZNI-t në rrethe e në qendër.
Në rrethe këto institucione publike janë drejtuar nga njerëz të LSI-së .
Tanimë ka nisur edhe fushata e “korrje- shirjeve” për të spastruar administratat.
Për të punësuar njerëzit e PS-së kanë nisur hetimet e punonjësve në këto instiucione. Prokuroria e policia nuk e kanë aspak të vështirë për të gjetur ndonjë shkelje të bërë, tek- tuk në dosjet e pronave.
As ankesat e popullit nuk janë të pakta, por që ankesat e popullit dëgjohen vetëm kur duan njerëzit e ligjit ta bëjnë këtë.
Në një situatë të tillë kur zyrat e administratave duhet të pastrohen nga militantët e partive, të korruptuarit apo qoftë edhe për të liruar vende të reja për socialistët që presin të futen në punë kanë nisur hetimet.
Që në zyrat e shtetit paguhet, për të marrë e përfunduar atë punë që do, e që ken nevojë kjo nuk do mend. Këtë e dinë të gjithë, sepse asnjë nuk mund të mbarojë punë nëse nuk do të paguajë. Asnjë zyrtar i shtetit nuk punon pa lekë dhe ky është parimi për aq kohë sa janë në punë. Rroga është aq e vogël saqë kushdo që është në punë shteti e di që me pagën nuk mund të bëjë asgjë nga ato që bën në muaj. Asnjë udhëtim jashtë shteti qoftë edhe tre ditor, apo të drekojë jashtë fundjavave.
Tani që hetimet kanë nisur në disa institucione, “dridhmat” kanë përfshirë një numër të madh zyrtarësh në Durrës.
Disa kanë harruar të dalin qoftë edhe për kafe në orarin zyrtar të punës për të mos patur as vërejtje në këtë drejtim, të tjerë kanë frikë sepse mund t’ju dalin të palarat.
Nga i pari tek i fundit institucion, ka drithma punonjësish.
Ca e dinë që do ikin, por mendojnë që të ikin pa u futur në mes tyre prokuroria e nenet e saj. Të tjerë kanë kaluar nga PS-ja, që të mbajnë vendet e punës.