Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit SPAK nisi një seri arrestimesh lidhur me dyshimet për korrupsion gjatë lejeve dhe ndërtimit të tre incineratorëve për trajtimin e mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Policia po kryen arrestimet e kërkuara nga prokurorët në Fier dhe Tiranë, si pjesë e një hetimi të gjerë në tre prej qyteteve më të mëdha të vendit.
Të paktën 7 persona u arrestuan mëngjesin e të martës, njoftuan mediat vendase, por lista mund të jetë më e gjatë, ndërsa SPAK ende nuk ka nxjerrë një njoftim zyrtar, derisa operacioni është në vazhdim e sipër.
Ky i sotmi është grupi i dytë i arrestimeve për çështjen e incineratorëve. SPAK arrestoi në mes të dhjetorit ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka, nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion e rryshfete deri në 3.7 milionë euro gjatë procedurave për lejet e incineratorit të Elbasanit. Ai i mohoi akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se kishte zbatuar vetëm ligjin.
Krahas tij, SPAK lëshoi dy urdhëra arrestimi edhe për dy Stela Gugallian dhe Klodian Zoton, e para si administratore e kompanisë, që fitoi koncensionin e Elbasanit, i dyti administrator i kompanisë, që kreu punimet, Klodian Zoto, i cili zotëron dhe 70 përqind të aksioneve në incineratorin e Fierit. Gugallia dhe Zoto janë shpallur në kërkim nga policia.
Në rastin e arrestimit të ish ministrit të mjedisit dhe më pas, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se raportet e personave të dyshuar me SPAK janë marrëdhënie individuale dhe se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt.
Hetime mbi procedurat e tre incineratorëve kreu edhe një komision i posaçëm i Kuvendit, i cili mori dëshmi nga disa dhjetëra zyrtarë të lartë, kryeministri Edi Rama, ministra e ish ministra, deputetë e ish deputetë, bashkiakë e ish bashkiakë në Tiranë, Fier e Elbasan, ekspertë e administatorë privatë e shtetërorë të kompanive dhe bizneseve që lidhen me tre incineratorët.
Opozita deklaroi prej se afera e incineratorëve ishte një shkelje e hapur e ligjeve dhe një korrupsion i përmasave të mëdha, në shuma që llogariten deri në 430 milionë euro.
Kuvendi me shumicë socialiste nuk e miratoi raportin me 120 faqe të hartuar nga komisioni i drejtuar nga opozita, por materialet voluminoze të siguruara gjatë këtij hetimi janë dërguar në SPAK për të mbështetur hetimet e nisura prej 6 muajsh. /VOA