Pas arrestimeve me urdhër të SPAK sa i takon koncensionit të sterilizimit, vjen një reagim nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Në një mesazh në ‘Facebook’, Basha theksoi se këto koncesione korruptive janë denoncuar në SPAK edhe nga PD.
REAGIMI I BASHËS
Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj filozofie korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!