Arrestimi i 23-vjeçarit ditën e enjte në qytetin e Durrësit (lexo këtu), i akuzuar për vrasje dhe që kërkohej nga autoritetet britanike që prej vitit 2018,  ka bërë jehonë edhe në mediet britanike. 

Sipas raportimeve të këtyre mediave, i riu shqiptar me iniciale E. S., lindur në Kukës dhe banues në Xhafzotaj – Shijak, akuzohet se vitin e shkuar vrau një ndërtues britanik, në një ndërtesë në rikonstruksion në Londrën Qendrore.

Fillimisht u mendua se 47-vjeçari John Woodward ra nga aksidentalisht nga çatia e ndërtesës në zonën e Hatton Garden, në prill të 2018-s. Por nga ekzaminimi mjeko-ligjor rezultoi se shkaku i vdekjes kishte qenë goditja që 47-vjeçari kishte marrë pas koke pikërisht nga shqiptari, për motive që mbeten ende të paqarta.

23-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, finalizuan me sukses Operacionin Policor të koduar “EAGLE“ , duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e përkohshëm të tij.