Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas lajmit të arrestimit të 3 personave të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt në Shëngjin.
Çuçi shprehet se reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me policinë e shtetit.
Ndër të tjera ministri thekson se vijon puna intensive për të arrestuar 3 personat e tjerë dhe vënien e tyre para drejtësisë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë”, shkruan Çuçi.