Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të Ilir Beqarajt, autorit të dyshuar të vrasjes së Gentian Bejtjas.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla paralajmëron se “autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë”
Balla thekson se duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve-thotë ai- janë shumë të vlefshme.
“Detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët. Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë-Krujë. Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër. Autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë. Për këtë qëllim duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve janë shumë të vlefshme. Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë ndaluar/ekstraduar gjatë 24 orëve të fundit”, shkruan Balla.