Në një operacion të zhvilluar në Shijak ditën e martë, autoritetet policore ndaluan Dorjan Sherifin, i cili kishte marrë me qira shtëpinë ku strehohej Aldo Avdyli, i cili u vu në pranga mbrëmjen e së hënës.

“Vijon operacioni policor i koduar “Ghosts”, i zhvilluar dje, nga Forca Operacionale e DVP Durrës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Reparti “RENEA”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e krimeve kundër personit.

Identifikohet nga hetimet, dhe arrestohet në Shijak, shtetasi që përkrahu shtetasin E. A. alias A. A., duke i siguruar banesën me qira, në Tiranë, ku ky i fundit iu fshihej autoriteteve. Në këtë banesë, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.“,- njofton policia e Durrësit.

Më pas, në njoftim sqarohet e gjithë dinamika e operacionit policor.

“Në vijim të punës hetimore dhe operacionale të kryer në kuadër të operacionit “Ghosts”, nga strukturat hetimore të Policisë së Durrësit, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Durrës kapën në Shijak, dhe vunë në pranga shtetasin D. Sh., 29 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari ka siguruar banesën në Tiranë, të marrë me qira, me qëllim fshehjen, nga shtetasi E. A. alias A. A. që është i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”“,- thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.