Eduart Xhezo 34-vjeçari i rrezikshëm nga Vlora, i kërkuar për vrasje, është arrestuar nga policia në hyrje të qytetit të Durrësit gjatë një aksioni për kapjen e tij.

Forcat Operacionale të Tiranës ishin vënë në ndjekje të tij, por 34-vjeçari sapo pa policinë, u largua me makinë në drejtim të Durrësit.

Në hyrje të qytetit bregdetar u ngrit një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e efektivëve, dhe u largua me shpejtësi.

Forca e Posaçme Shqiponja të Durrësit dhe ato të Qarkullimit Rrugor u vunë në ndjekje të të dyshuarit dhe në  vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit.

Me makinë udhëtonin dy persona me iniciale A.S. dhe S.J., sipas kartave të tyre të identitetit. Pas verifikimit të bërë, karta e identitetit me emër A.S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo 34 vjeç.

Cila është ngjarja e rëndë për të cilën ai akuzohet?

Eduart Xhezo është një nga të dyshuarit e përfshirë në ngjarjen e 4 gushtit 2019 në lagjen “1 Maji” në Vlorë, ku u qëlluan me armë tre persona. Nga të shtënat humbi jetën Arben Beqiraj 50 vjeç dhe u plagosën djali i tij Ergest Beqiraj dhe kushëriri Nesim Hodaj.

Sipas hetuesve, shkak për konfliktin ka qenë një arsye krejt banale. Ishte një kalë që ka përshkruar zonën e plazhit që administrohej nga biznesmeni Arben dhe Ergest Beqiraj, babë e bir.

Arben Xhezo, së bashku me 3 persona të tjerë që janë shpallur në kërkim, dhunuan personin që ishte mbi kalë. Një orë pas ngjarjes, mbërritën në lokalin e Beqirajt një makinë me katër persona. Dy prej tyre u afruan për të sqaruar konfliktin, dhe dy të tjerë qëndruan në distancë.

Fillimisht ka patur një debat mes palëve, por pas pak sekondash është qëlluar me breshëri në drejtim të Arben Beqirajt, djalit të tij Ergest Beqiraj dhe Nesim Hodajt.

34-vjeçari Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.