Ministri i Brendshëm Taulant Balla, kas reaguar pas arrestimit ditën e sotme të Nënkomisarit Kastriot Palushi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla shkruan se “vijon procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit nga ata që nuk meritojnë besimin e qytetarëve dhe uniformën e Policisë”.
Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Vijon procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit nga ata që nuk meritojnë besimin e qytetarëve dhe uniformën e Policisë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë ndaluar një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.
Sipas AMP, arrestimi i Palushit u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.
“Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje”, njofton AMP.