Partia Demokratike ka reaguar pas arrestimit të efektivit të RENEA, si pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së drogës.
Përme një statusi në rrjetet sociale, deputeti i zgjedhur i PD, Enkelejd Alibeaj, shkruan se një gjë e tillë nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin.
Sipas tij krimi “ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin”.
Reagimi i Alibeajt:
RENEA, reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët. 2 efektivë dhe 1 NënKomisar të këtij reparti janë arrestuar në pak kohë për organizim dhe trafik kokaine. Raportohet se 4 të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro.
Kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.
Përgjimet e antimafias italiane dëshmojnë për implikim masiv të kupolës së Policisë së Shtetit në trafikun e kanabisit.
Tashmë, shumica e shqiptarëve e di që teksa vendi kthehej në Kolumbinë e Europës me urdhër politik për të financuar shkatërrimin e zgjedhjeve, forcat e policisë përdoreshin si roje të parcelave me hashash dhe si punëtorë krahu për të ngarkuar skafet me lëndë narkotike.
Me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin.
Për shkak të këtij pushteti ilegjitim që ka kriminalizuar politikën, institucionet dhe policinë, qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen e familjeve të tyre, të pasigurt për rendin dhe sigurinë.
Qytetarët nuk mund të ruhen edhe nga Krimi, edhe nga Policia që paguajnë nga taksat e tyre.





