Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të Nazir Mehmetajt në Serbi, një emigrant kosovar në Zvicër i cili shkoi në Beograd për kurimin e nënës së tij.

Pacolli shkruan në Facebook, se e dënon arrestimin e kosovarit si një përndjekje politike e Serbisë ndërkohë shton se me anë të Zyrën së ndërlidhjes në Beograd do të sigurohet lirimi i tij.

POSTIMI I PLOTË

Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.

Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.

Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare “Merdare”. Ai kishte ardhur për pushime në atdhe por për shkak se kishte nënën e tij të sëmurë kishte vendosur ta çonte për analiza në Beograd. Ndërkohë që nëna e tij dhe një kushëri u liruan, familja e Mehmetajt di vetëm që ai është dërguar në Beograd.