Tiranë, 8 shtator 2014 – Gazeta “Mapo” shkruan sot se, para arrestimit të Ardian Fullanit, ka pasur një takim të fshehtë në prokurori.
Sipas saj, edhe pse urdhër-arresti u ekzekutua mbrëmjen e së premtes, prokuroria po bëhej gati prej 4 ditësh për këtë lëvizje.
Katër ditë përpara arrestimit, mësohet se është zhvilluar një analizë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku të pranishëm kanë qenë Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, prokurori i çështjes dhe një prokuror pranë organit qendror të akuzës, i cili ka mbajtur kontakte me grupin hetimor përgjatë hetimeve.
Në përfundim të analizës të gjithë kanë rënë dakord që prokuroria t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, ku të kërkojë caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi.
Arrestimi i guvernatorit Ardian Fullani erdhi pas 45 ditësh hetime për zbulimin e skandalit në godinën e Emisionit, ku për katër vite me radhë ishin vjedhur 713 milionë lekë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





