Pas arrestimit në Mitrovicë të drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën e Metohinë” në Qeverinë e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin, nga i cili pret përkrahje për zgjidhjen e situatës kritike, transmeton Gazeta Express lajmin e telegraf.rs.
Përveç kësaj, Vuçiç e ka thirrur urgjentisht për sonte në orën 19:30 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbledhje të cilën fillimisht e pati thirrur për nesër.
Nga ana tjetër Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë thirrje për qetësi, ndersa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriçit.
Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriç ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Marko Gjuriç ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.