Policia ka reaguar mbrëmjen e djeshme lidhur me arrestimin në Berat të ish-shefit të stacionit në Dhërmi, Sokol Bode.

Ai akuzohet si pjesëtar i grupit të Habilajt që trafikonin drogë në kohën e ish-ministrit Sajmir Tahiri.

Njoftimi

Finalizohet nga strukturat e DVP Berat, operacioni policor i koduar “Uznova”.

Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Strukturat e DVP Berat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Uznova”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen “Uznovë”, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit:

– S. B., 43 vjeç, banues në Berat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Shtetasi S. B. është transportuar në Tiranë, pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, për veprime të mëtejshme.

Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.