Operacioni i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë ka “minuar një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Duke folur për gazetarët në Gjenevë, zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani, tha se “shtetet nuk duhet të kërcënojnë apo të përdorin forcën kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të asnjë shteti”.

Kritikat vijnë pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur një ditë më parë, ku edhe disa nga aleatët e SHBA-së shprehën qëndrime kundër operacionit ushtarak të ndërmarrë nga administrata Trump, shkruan BBC.

Ndër ta, Franca ishte më e drejtpërdrejta. Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i saj, Jay Dharmadhikari, deklaroi se kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga SHBA-ja “bie ndesh me parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe me parimin e mos përdorimit të forcës”.

Ndërkohë, për të katërtën ditë radhazi, Kina përsëriti kundërshtimin e saj ndaj veprimeve që i cilësoi si “të pamatura”, të Donald Trump.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, tha se Kina është “e gatshme të bashkëpunojë me vendet e rajonit për të ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin”.

Presidenti Maduro e ka konsideruar historikisht Kinën si një aleate të ngushtë.