Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari theksoi në Kuvend se pretendimet e kreut të Partisë së Lirisë se po mbahet në burg për arsye politike nuk qëndrojnë, duke cituar raportin e Avokatit të Popullit.
“U tha një pretendim për mohim të lirisë së fjalës, së shprehjes, raporti përmend, citoj këtu në faqen 22, se në përfundim të shqyrtimit të këtij rasti, shprehim se përdorimi i lirisë së shprehjes duhet të bëhet në përputhje me nenin 10 të Konventës Kombëtare. Avokati i Popullit, vijon raporti, nuk promovon apo amniston përdorimin e gjuhës së urretjes, së ashpër, fyese apo denigruese në media por imponon detyrimin për përdorimin e saj në përputhje të përgjegjshme.
Sa i përket pretendimeve për burg politik, nga analizimi i informacioneve, rezulton se nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara, pra avokati i popullit konfirmon të kundërtën. Nuk ka persekutim politik. Dhe nuk kemi cënim të lirisë së shprehjes për sa kohë duhet balancë nga njëra anë lirisë së shprehjes dhe detyrimet që kanë institucionet për të garantuar sigurinë”, u shpreh Lamallari.
Po ashtu, duke iu përgjigjur komenteve të Tedi Blushit më herët në Kuvend, ministri theksoi se:
“Për të kërkuar interpelancë dhe rrjedhimisht vëmendje të posaçme pë një person të veçantë, Ilir Meta. Do të doja që kjo sallë dhe interpelanca si instrument kushtetues të përdoret për misionin që kemi këtu, përfaqësimit të atyre qindra e mijëra qytetarë që presin nga ne dhe jo të presin diskursin e emrave të përveçëm, që për fat të keq opozita po dështon ta lërë pas, ku flet në emër të drejtësisë si prokurorë e gjyqtar për kundërshtarët politikë, mban interpelanca për frymëzuesit e partive të tyre duke dashur t’i heqë nga duart e drejtësisë.”





