Prokuroria Europiane arrestoi një ditë më parë ish-shefen e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherinin për një aferë financiare 3.2 milionë euro, ndërsa sot ajo u la e lirë, por veprimet hetimore vijojnë.
Deputeti i PD, Belind Këlliçi denoncoi se skema korruptive për të cilën u ndalua Mogherini nuk ka mbetur vetëm në Bruksel.
Në një reagim ai u shpreh se kolegët e saj në Shqipëri kanë zhdukur me “magji” rreth 22 milionë euro, duke devijuar fonde të dedikuara për studentët dhe projekte publike. Sipas Këlliçit, ky rast hedh dritë mbi një model të përhapur abuzimi me financat publike, që prekin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë dhe taksapaguesit europianë.
“Me një VKM të 13 marsit 2024, qeveria e Edi Ramës devijoi 17 milionë euro të destinuara për studentët shqiptarë, duke i përdorur ato për ndërtimin e Kolegjit të Europës”, theksoi Këlliçi.
“Gjithashtu, ky vendim i qeverisë zhduku edhe rreth 5 milionë euro të përdorura nga Bashkia e Tiranës për hartimin e projektit të kampusit të Universitetit të Tiranës, “Ndërtim i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtim i Akademisë së Policisë”. Mesa duket të korruptuarit e Tiranës janë integruar më së miri me aleatët e tyre të korruptuar europianë”, shtoi demokrati.
Postimi
Nëse Federica Mogherini u arrestua për 3.2 milionë euro, kolegët e saj në Shqipëri, zhdukën me magji 22 milionë euro për këtë aferë. Kolegji i Europës nuk ju ka kushtuar miliona vetëm taksapaguesve të BE-së, por edhe atyre shqiptarë, më së shumti të rinjve.
Me një VKM të 13 marsit 2024, qeveria e Edi Ramës devijoi 17 milionë euro të destinuara për studentët shqiptarë, duke i përdorur ato për ndërtimin e Kolegjit të Europës.
Gjithashtu, ky vendim i qeverisë zhduku edhe rreth 5 milionë euro të përdorura nga Bashkia e Tiranës për hartimin e projektit të kampusit të Universitetit të Tiranës, “Ndërtim i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtim i Akademisë së Policisë”.
Mesa duket të korruptuarit e Tiranës janë integruar më së miri me aleatët e tyre të korruptuar europianë.
I mbetet popullit shqiptar, qytetarëve tanë të vjedhur e të grabitur në mënyrë të përditshme, të ngrihen në lartësinë e çdo qytetari të zakonshëm europian dhe të ndëshkojnë zyrtarët abuzues në Shqipëri, për aferën skandaloze të Kolegjit të Europës dhe jo vetëm!





