Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe të shtunën, duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.
Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për media të shtunën pasdite për arrestimin e Mustafës.
Ajo tha se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “n? m?nyr? që shteti dhe Qeveria e Kosovës t? njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”.
Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se i ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd, si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftim.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.
Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.
Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.
Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.
Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.