TIRANE, 11 mars 2013– Avokati i Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është takuar sot me klientin e tij, pasi përpjekje të shumta të bëra gjatë ditës së djeshme, por që në fund dështuan.

Rreth orës 19:30 ka përfunduar seanca e marrjes në pyetje të Rroshit dhe gjatë një prononcimi për mediat, avokati Plarent Ndreca tha se arrestimi i klientit të tij është i paligjshëm dhe po sipas tij Rroshi duhet të lirohet.  

Ndreca akuzoi trajnerin e Tiranës, Nevil Deden, se ka provokuar tifozët e  ekipit të Kavajës, duke ngritur grushtin përpara tyre. Sipas Ndrecës, trajneri i bardhe e bluve u përdor nga policia për të provokuar incidentin në fjalë. Ai tha se për këtë ka prova në foto dhe video dhe Rroshi na shkuar në tunel për të qetësuar situatën, jo për ta tensionuar edhe më shumë.

“E gjithë veprimtari, faktet tregojnë se ka një inskenim politik. Policia ka krijuar një skenar, gjykojmë se edhe Nevil Dede është përdorur nga policia për të futur në këtë proces Kryetarin e Bashkisë së Kavajës.”- theksoi avokati.

Elvis Roshi ndodhet i ndaluar që prej mbrëmjes së djeshme, pas denoncimit për dhunë dhe kërcënim nga trajneri i ekipit të Tiranës, Nevil Dede. Roshi akuzohet se ka goditur trajnerin e sport klub Tirana, Nevil Dede, ndërkohë që ai vetë në një pronocim për mediat ka mohuar akuzat.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/