Pas arrestimit të ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera, i cili e ka mabjtur këtë post në kohën e demokratëve, PD-ja ka reaguar sot duke i kërkuar Prokurorisë të zbardhë akuzat dhe të veprojë me profesionalizëm duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Në një deklaratë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani tha se PD-ja mbështet dhe inkurajon çdo hetim dhe akt të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

“Partia Demokratike nuk bëhet pengesë e asnjë hetimi ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të saj në asnjë rast dhe e vlerëson luftën ndaj korrupsionit si jetike për vendin.

Ne inkurajojmë hetime të drejta dhe objektive, të pandikuara nga politika dhe veçanërisht nga nevoja që ka qeveria dhe kryeministri më i korruptuar në Ballkan, për të larguar vëmendjen nga hajdutëria masive që po bëjnë çdo ditë, në dogana, tatime, tenderë, koncesione dhe privatizime”, tha Ristani.