Kryeministri Edi Rama, i pyetur për detajet e progres raportit të KE-së, specifikisht për citimin e emrit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka theksuar se shumica qeverisëse e ka thënë fjalën e saj në mënyrë të qartë dhe në frymë e gërmë të Komisionit të Venecias për çështje të tilla.

Rama theksoi se po pret që prokuroria e Krimeve të Rënda të sjellë një provë të vetme në procesin kundër Tahirit.

“Në këtë proces vlejnë argumentet dhe të arrijmë të shpejgojmë se në procesin e Tahirit, Kuvendi dhe shumica zbatoi në frymë dhe germë gjithçka Venecia ka nënvizuar lidhur me rastet kur një komision thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit apo masave të parashikuara për një deputet.

Së dyti, ne e kemi thënë dhe e përsëris sot ne po presim që prokuroria të rikthehet me të paktën një provë, jo dhjetë, një të vetme, dhe Krimet e Rënda janë shumë larg së qenit një trupë që mund të konsiderohet e influencueshme nga cilidoqoftë për sa u takon anës së shumicës, nëse pranojmë spekulime për influencë.

Së treti, është gjëja më e lehtë që të nxjerrim bishta e alibira, pseudoargumente përballë faktit që kemi marrë dëftesën nga KE që nuk bën dhurata nuk ka lidhje me asnjë ndjenjë bujarie por shikon detyrat dhe zbatimin e tyre”.