Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mund të ketë një mundësi tjetër për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku ka mbetur një vend vakant. Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Vijar, i cili është arrestuar nga autoritetet në vendlindje për mashtrim me fondet e institucionit, ka dhënë sot dorëheqjen zyrtarisht nga posti që mbante në UEFA, ku ishte zëvendëspresident e njëkohësisht anëtar i Ekzekutivit të kësaj organizate.Kjo bën që në Ekzekutiv të mbetet një vend bosh, duke i dhënë mundësinë kreut të FSHF-së të jetë përsëri në garë për këtë pozicion.

Duka nuk arriti të fitonte të drejtën e pranisë në këtë Komitet prestigjioz gjatë votimeve që u mbajtën në Kongresin i cili u zhvillua në Helsinki, duke dalë i 9-ti në garën për 8 vende.Sipas rregullores së UEFA-s, në rast të një vendi të lënë bosh, Kongresi i radhës duhet të zgjedhë anëtarin e ri, me votim, ose me miratimin e propozimit nga drejtuesit e UEFA-s. Duke llogaritur se Duka ishte kandidati që mori më shumë vota mes atyre që nuk fituan, si dhe është një nga personat që ka mbështetur fuiqimisht Çeferin, nuk është çudi që të jetë pikërisht ai personi që do të zërë vendin e Vijar në Ekzekutivin e UEFA-s. Por për të mësuar më shumë, duhet të presë Kongresin e radhës që zhvillohet më 26 shkurt 2018 në Bratislavë.Vijar ka qenë një ndër personat që ka mbështetur Dukën vazhdimisht gjatë karrierës së tij si president i FSHF-së. Në periudhën kur FSHF kishte përplasje me shtetin shqiptar, Vijar erdhi në vendin tonë edhe për të mbikëqyrur punimet e Asamblesë Zgjedhore në FSHF, nga e cila në fund u shpall fitues pikërisht Duka.