Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të detajeve nga dosja hetimore amerikane për ish zyrtarin e FBI-së, të arrestuar, pasi akuzohet se ka fshehur takimet me kryeministrin Edi Rama dhe marrjen e shumave të mëdha të parave nga një shtetas shqiptaro-amerikan.
Meta ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe i ka bërë thirrje drejtësisë shqiptare që të “zbardhë këtë aferë shtetërore që i kalon dhe kufijtë e Shqipërisë”.
‘Përmes manipulimit e korruptimit është përpjekur të godasë opozitën dhe demokracinë, siguruar përifitime korruptive për vete e bashkëpunëtorët e tij. Me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e inflluiencës e ka shrytëzuar postin për të mbajtur në mënyrë të paligjshme e mafioze shtetin.
Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër vecse një mafioz të ulur këmbëkryq në zyrën e kryeministrit. Dorëheqja është një veprim i detyruar dhe i pashmangshëm“, tha Meta në një deklaratë për mediat.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Opinioni shqiptar dhe mbarëbotëror është njohur me dosjen e ish-funksionarit të lartë të FBI, McGonigal dhe me lidhjet e tij të faktuara me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë evidentuar qartë si pjesëtarë në akte korruptive dhe ndikimi të paligjshëm në “Çështjen McGonigal”.
Edi Rama nëpërmjet manipulimit dhe korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin.
Veprimtaria e tij për të manipuluar dhe përdorur një zyrtar të lartë të SHBA ka patur një qëllim të vetëm që përveç mbajtjes së pushtetit të garantojë investime nëpërmjet parave të pista ruse duke i futur ato si atavizma në ekonominë shqiptare dhe duke e vendosur Shqipërinë, jo në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, por në funksion të mbështetjes dhe përdorimit të tyre prej Edi Ramës.
Fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini edhe në media kundër opozitës dhe Zotit Sali Berisha në momentin e djegjes së mandateve janë prova dërmuese se Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit.
Është e qartë se për Edi Ramën marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash.
Edi Rama është njeriu që me qëllim dhe me strategji të mirëpërcaktuar ka kompromentuar këto marrëdhënie, është përpjekur t’i trondisë ato, është përpjekur të ulë respektin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të axhendave tashmë të vërtetuara proruse të tij.
Dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm.
Drejtësia shqiptare duhet të ishte ngritur në këmbë me kohë përballë fakteve të tilla kaq tronditëse që implikojnë Kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Drejtësia shqiptare duhet të komunikojë intensivisht dhe ngushtësisht me drejtësinë amerikane për të zbardhur deri në fund të gjithë këtë aferë shtetërore që tashmë kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të hetojë e ta çojë Kryeministrin përpara Drejtësisë.