Një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së u vendos në dy akuza të hënën në darkë, mes të tjerash, për udhëtime me shpenzime të paguara në Tiranë ku u takua me kryeministrin Edi Rama dhe për marrjen e një shume prej 225 mijë dollarësh nga një shqiptaro-amerikan. Një zëdhënës i Ramës hodhi poshtë akuzat pa iu përgjigjur pyetjeve.
Charles McGonigal u bë një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që u vendos nën akuzë në të gjithë historinë e agjencisë së famshme të hënën në darkë pasi hetuesit zbuluan se ka përfituar shuma të mëdha parash nga një oligark rus dhe nga një shqiptar, si dhe ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, shpenzime që duket se janë mbuluar nga një shqiptar, ndërsa takimet me Ramën duket se janë organizuar nga një shqiptar tjetër, i cili përshkruhet si “këshilltar joformal” i Ramës.
Në atë që ngjan si një film me spiunazh, zyrtari i lartë i FBI-së rezulton se ka vizituar Tiranën në mënyrë të përsëritur, është takuar me kryeministrin shqiptar, me një politikan në Kosovë dhe dy politikanë në Bosnjë, ka marrë së paku 225 mijë dollarë nga një shqiptar me vendbanim në Nju Xhersi, i cili i ka siguruar këto para dhe të tjera përmes një rrjeti kompanish.
Zëdhënësi i kryeministrit Endri Fuga nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN se kush ka paguar për shpenzimet e udhëtimit të McGonigal në Shqipëri por deklaroi, pa dhënë shpjegime se “akuzat për Charles McGonigal nuk kanë asnjë lidhje me takimet e zyrtarit të FBI në atë kohë me Km Rama, në Shqipëri apo SHBA.” Fuga refuzoi të shpjegojë se kush është Persioni B, zyrtari joformal i kryeministrit.
Veçmas, McGonigal u akuzua se ka punuar për një oligark rus në shkelje të sanksioneve amerikane të vendosura në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Vetë McGonigal është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura në gjykatat amerikane.
Dy akuzat
McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij lidhen me faktin se ai ka dështuar të raportojë në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para të thata dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.
“Në vjeshtën e vitit 2017, në vendbanimin e Personit A në Nju Xhersi, i pandehuri McGonigal mori dy herë më shumë para të thata nga Personi A në sasitë afërsisht 80 mijë dhe 65 mijë dollarë,” shkruhet në aktakuzë.
“Në 16 tetor 2017, i akuzuari McGonigal plotësoi një FD-772b (formular i brendshëm i FBI-së) në lidhje me udhëtimin e tij në shtator në Shqipëri dhe Kosovë. Plotësimi dështoi në mënyrë të papërshtatshme të raportojë se i akuzuari McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri dhe një politikan në Kosovë dhe në mënyrë të pavërtetë mohoi së i akuzuari McGonical kishte deklaruar punësimin e tij për një shtetas të huaj jashtë punës zyrtare të FBI-së,” shkruhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”
Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B, bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama.
Personi B përshkruhet si këshilltar informal i kryeministrit Edi Rama, i tillë që kishte një adresë emaili zyrtare të qeverisë, ndërkohë që ishte i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Gjatë këtij udhëtimi, McGonigal raportohet të jetë takuar edhe me një person tjetër të përshkruar si “biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i pati kërkuar McGonigal të hetojë një tentativë për vrasje kundër tij.
“Si mbajtës i certifikatës kombëtare të sigurisë, i akuzuari McGonigal duhej të raportonte saktësisht dhe plotësisht te FBI informacionin në lidhje me kontaktet e tij me zyrtarë të huaj si dhe asetet dhe detyrimet e tij financiare,” shkruhet në aktakuzë./Birn