Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar në flagrancë 2 persona pasi kanë shkaktuar aksidente, njëri me një të vdekur, si dhe ka proceduar një person tjetër për dhënie deklarate të rreme.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:

G. M., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 20.09.2020, në rrugën “Martin Camaj”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale Xh. M., 70 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. 

R. T., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 15, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Skoda” në gjendje të dehur, është përplasur me një tjetër mjet dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

Gjithashtu u referuan materialet për shtetasin E. T., për veprën penale “Kallëzim i rremë”, pasi ka dhënë deklaratë të rreme në lidhje me drejtimin e mjetit duke u shprehur se ka qenë ai drejtuesi i mjetit tip “Skoda”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.