Gjirokastër, 24 qershor 2014 – Në vijim të operacionit të ndërmarrë nga Policia e Shtetit në fshatin Lazarat, mbrëmë është bërë arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve të akuzuar për veprat penale prodhim dhe shitje të narkotikëve, kultivim të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.
Nga strukturat e policisë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Maridion Dervish Selimi, vjeç 25, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij është gjetur një sasi prej rreth 720 kg lëndë narkotike kanabis sativa, si dhe 1760 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar dhe 250 fishekë model 56.
Po ashtu është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Lutfi Dervish Trako, vjeç 46, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Lazarat u gjet një sasi prej rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 24 persona të dyshuar për sulme me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





