GJIROKASTER, 26 prill 2013– Dy të rinj nga Durrësi janë arrestuar me 20 kg marijuajë.

Sipas policisë së Gjirokastrës, ata ishin duke lëvizur nga Lazarati drejt Tiranës me automjetin e tyre.

Pasi automjeti u mbajt në vëzhgim u ndalua tek postblloku i Ujit të Ftohtë. 

"Poshtë sediljes së parë të pasagjerit u gjetën të fshehura dy pako me lëndë narkotike të mbështjella me letër natriban  me madhësi të ndryshme. Kontrolli ka vijuar edhe në brendësi të veshjeve anësore të sediljeve të pasme të pasagjerëve ku ka rezultuar se në brendësi të veshjeve plastike nga të dyja krahët u gjetën 19 pako të mbështjella me  letër natriban  me mbishkrim me bojë të kuqë me shënjën x. Nga kontrolli rezultoi se në automjet u gjetën 21 pako me lëndë narkotike rreth 20 kilogramë", thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bën të ditur se janë arrestuar Gertjan Hamdiu, 19 vjeç, drejtuesi i mjetit dhe shoku i tij Aldo Dhimitri, 23 vjeç. Ndërkaq, u sekuestrua edhe mjeti që i përkiste një shokut të Hamdiut.

"Nga veprimet e para rezutloi se dy të rinjtë lëndën narkotike e kishin blerë në fshatin Lazarat tek një shtetas i skeduar nga ana jonë si person me precedent kriminal dhe është bërë shpallja në kërkim policor i tij. Këta të rinj do ta shpërndanin lëndën  narkotike në doza të vogla në lokale nate e ambjente shkollore në Durrës", bën të ditur policia.