Tirane,7 nëntor 2013- Arrestohen gjatë paradites së sotme dy punonjës të Drejtorisë së Tatimeve dhe shpallen në kërkim 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve punonjës të tatimeve dhe 2 përfaqësues biznesesh private.  Polica ka arrestuar Afërdita Dino Hysa, e vitlindjes 1968, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë dhe Tahir Avdi Kuka, i vitlindjes 1956, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve. Arrestimi i tyre është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masat e sigurisë "Arrest me burg", për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës", "Vjedhjes me pasoja të rënda" dhe "Pastrimit të Produkteve të veprës penale". Të njëjtat masa janë caktuar edhe për shtatë persona të tjerë, për të cilët është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Personat e shpallur në kërkim  janë, Ismail Mehmet Muça, i vitlindjes 1969, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, Lauren Avdi Vata, i vitlindjes 1981, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Edmond Mehmet Osmani, i vitlindjes 1979, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Gramos Sali Milushi, i vitlindjes 1984, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Kujtim Çel Metaliaj, i vitlindjes 1960, ish-Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Mirjan Lili Beneja, i vitlindjes 1980, me aktivitet në sektorin privat, Gjergji Spiro Tupe, i vitlindjes 1959, me aktivitet në sektorin privat.

Arrestimi i këtyre personave lidhet me procedurën e rimbursimit të TVSH-së, gjatë zbatimit të së cilës janë konstatuar veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 11 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas ç’regjistrimin brenda një periudhe disa ditore. Të 11 shoqëritë e shitura janë blerë nga dy shtetasit shqiptarë, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe. Shoqëritë menjëherë sapo kanë marrë rimbursimin në vlera të mëdha kanë kërkuar ç’regjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR-së. Si rezultat i këtyre veprimeve është shkaktuar një dëm rreth 515 milionë lekë të rinj dhe në këtë veprimtari kriminale ka rezultuar të jenë përfshirë edhe punonjës të administratës tatimore rajonale Tiranë si dhe dy ortakët e vetëm të shoqërive që kanë përfituar edhe rimbursimin e TVSH-së.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të "Shpërdorimit te detyrës", "Vjedhjes" me pasoja të rënda dhe "Pastrimit të produkteve të veprës penale".