Policia italiane në Marano të Riminit ka arrestuar 2 shqiptarë të moshave 23-vjeçare dhe një maroken të moshës 28-vjeçare, pasi akuzohen për trafik droge, të llojeve kokainë, marijuanë dhe hashash.

Pas raportimeve nga banorët, policia nisi investigime për grupin që shpërndante lëndë narkotike në zonë. Pas hetimeve prej 3 muajsh, 3 persona me shtetësi të huaj u vunë në pranga. Ata nuk kishin leje qëndrimi të përhershme në Itali, ndërsa jetonin aty përkohësisht, raporton “Altarimini.it”.

Shpërndarësit e dyshuar të drogës shpërndanin lëndën narkotike për grup-mosha të ndryshme, nga të rinjtë deri te të moshuarit. Dy nga 3 të arrestuarit u vunë në pranga në linjën e autobusit 11, në kohën që po bënin pazar për shit-blerje të drogës.

Të rinjtë janë dërguar të gjithë në burg, ndërsa të enjten gjykata jep për ta masën e sigurisë. Të arrestuarit janë befasuar, kur kanë parë përpara vetes policë, të cilët menjëherë iu kanë vënë prangat.