Dy shtetas shqiptarë, me moshë 30 dhe 42 vjeç, janë arrestuar në Greqi, pas një përndjekjeje nga policia.
Ata akuzohen si pjesëtarë të një bande që vidhte vila që prej katër muajsh, në zonat bregdetare, në veri lindje të Athinës.
Pasi “piketonin” vilat ku do të goditnin, ata shkonin në orët e mbrëmjes dhe i binin ziles për të verifikuar nëse kishte njerëz apo jo.
Pastaj, shpërthenin dyert apo dritaret dhe futeshin brenda ku vidhnin kryesisht bizhuteri të shtrenjta, para dhe sende të tjera të çmuara.
Bastisjen e kryente njëri prej tyre, ndërsa tjetri qëndronte jashtë, në makinë, duke bërë punën e rojës.
Sipas policisë, deri tani janë verifikuar 12 vjedhje të kryera prej dy shqiptarëve, kryesisht në Rafina, Spata dhe Artemida.
Menjëherë më pas ata i shisnin sendet e vjedhura te tregtarë që merreshin vetëm me këtë punë.
Nga kontrollet e ushtruara në banesat e dy të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës një sasi të konsiderueshme bizhuterish, 6.720 euro, një pistoletë dhe dy krehra me fishekë, një numër të madhe telefonash celularë, vegla që përdornin gjatë vjedhjes, si dhe një automjet.
Të dy ata kanë rezultuar persona të skeduar që më parë, madje njeri prej tyre ishte arratisur nga burgu.





