Itali, 26 korrik 2014 – Karabinierët e qytetit të Astit arrestuan Florenc Mëhallën, 30 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Asti, me precedentë penalë.

Florenci (në foton kryesore) po udhëtonte me një Volksvagen Polo në pronësi të një italiani, i cili me letra ishte pronar edhe i 70 automjeteve të tjera.

Pikërisht ky fakt u tërhoqi vëmendjen karabinierëve. Gjatë kontrollit të makinës u gjet një revolver kalibër 38 (në foton poshtë).

Ky revolver rezultoi i vjedhur në 19 dhjetor 2012 në një banesë në komunën e Roddit. Florenci u arrestua në kushtet e flagrancës për armëbajtje pa leje dhe posedim sendesh të vjedhura.

Ndërkohë një tjetër shqiptar ka rënë në prangat e karabinierëve për armëmbajtje pa leje. Në portin Sant Elpidio të rajonit të Markës, karabinieria arrestoi shqiptarin 24 vjeçar G.M. me precedentë penalë.

Gjatë kontrollit, atij ju gjet një pistoletë e prodhimit bullgar, e futur ilegalisht në Itali. Ju kap gjithashtu edhe një pistoletë sportive gjysëm automatike Smith&Wesson kalibër 40, sportive. (në foton poshtë)

Kjo pistoletë rezulton e vjedhur në 20 maj 2012 në një dyqan armësh në qytezën e Kampi Bizencos (Campi Bisenzio). 24 vjeçarit ju sekuestruan edhe 7 fishekë kalibër 7,65 mm. Shqiptari u arrestua në kushtet e flagrancës dhe u dërgua në burgun e qytetit të Fermos.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/