Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë aksionin në të gjithë vendin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Sipas të dhënave nga policia, vetëm javën që lamë pas, në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 90 grupe të përbashkëta POLICI-OSHEE duke kryer 3.345 kontrolle. Gjatë këtyre kontrolleve, janë evidentuar 45 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 45 autorë, nga të cilët, 20 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, 22 janë shpallur në kërkim, ndërsa tre prej tyre ndiqen në gjendje të lirë.

Ndërsa, sa i përket ndërtimeve të paligjshme, në të gjithë vendin janë evidentuar 23 raste të ndërtimeve pa leje për të cilat, janë evidentuar dhe proceduar 23 autorë nga të cilët, 3 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 20 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu janë evidentuar 6 raste me 6 autorë për prerjen e paligjshme të pyjeve, të cilët po ndiqen në gjendje të lirë. Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, janë evidentuar 5 raste me 5 autorë, të cilët gjithashtu ndiqen në gjendje të lirë.