Policia e Vlorës ka arrestuar kryeinspektorin e Inspektoratit Vendor Urbanistik në Vlorë, paraardhësin e tij, 3 inspektorë të INUV-ut, si edhe administratorin e një kompanie ndërtimi, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar ndërtimin e një godine 6-11-12 kate pa leje në lagjen “Pavarësia” në Vlorë në mënyrë të paligjshme.

Nga burime të Prokurorisë së Vlorës bëhet me dije së shtetasit që u arrestuan janë:

Edmond Aliaj, administrator i subjektit “Endriu 008”shpk.
David Tushaj, me detyrë kryeinspektor i INUV, bashkia Vlorë
Besnik Karabolli, me detyrë kryeinspektor i INUV (qershor 2012- nëntor 2014)
Iriald Dervishaj, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë.
Marjol Mustafaraj, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë
Endri Zeneli, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë 

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, të dorëzuar më janar 2016, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008” po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën e tyre.

Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit. Në bazë të dokumentacionit të mbledhur gjatë hetimit të këtij procedimi penal, rezultoi se Inspektorati Vendor Urbanistik (INUV) i Bashkisë Vlorë ka pasur dijeni për ndërtimin e këtij pallati dhe nuk ka kryer asnjë urdhërim për ndalimin e tij.

INUV-i kishte dijeni për këtë pallat, jo vetëm për faktin që ndërtimi është i dukshëm, por edhe sepse më datë 12.05.2014, nga kryeinspektori pranë INUV-ut Bashkia Vlorë është marrë vendim për pezullimin e ndërtimit, duke parashtruar se “subjekti Endriu 08 ka nisur punimet për ndërtimin e objektit banesë 6-11-12 kate pa njoftuar më parë INUV si dhe mungon dokumentacioni tekniko ligjor në kantier”. Megjithatë, punimet për ndërtimin e pallatit kanë vijuar pa asnjë pengesë nga ana e autoriteteve publike. Vendimi për pezullimin, por që nuk është zbatuar, është nxjerrë nga ana e Kryeinspektorit të INUV në atë kohë, i dyshuari Besnik Karabolli, i cili e ka mbajtur këtë detyrë deri në muajin nëntor 2014.

Prej muajin nëntor 2014 e në vijim, në krye të INUV-ut të Bashkisë Vlorë është emëruar i dyshuari David Tushaj, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë pezullimi për ndërtimin e pallatit pa leje.

Vetëm pasi Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin e këtij rasti (në dt. 05.01.2016), kryeinspektori i INUV-ut ka urdhëruar inspektorët në vartësi për të kryer sërish kontroll mbi subjektin “Endriu 008”, ku sërish ka rezultuar se ndërtimi i pallatit po vijonte pa lejen përkatëse. Me urdhër të tij, në datë 22.01.2016, kryeinspektori pranë INUV Bashkia Vlorë ka marrë vendim për pezullimin e ndërtimit,  duke parashtruar se subjektit “Endriu 08” i mungonte dokumentacioni tekniko ligjor në kantier.

Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se nga ana e zyrtarëve të INUV-ut, Bashkia Vlorë, janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa për administratorin e kompanisë së ndërtimit, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.