TIRANË, 4 shkurt 2014 – Goditet një grup grabitësish, të akuzuar për vjedhjen me dhunë të disa pikave të karburanteve në qytete të ndryshme të vendit.
Sic bën të ditur policia, më datë 03 shkurt 2014 strukturat e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, pas një hetimi të kujdesshëm, bënë mundur kapjen e një grupi të strukturuar kriminal me tendencë vjedhjen me dhunë të karburanteve në disa qytete të Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjahtarët e natës” u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit e mëposhtëm:
1. Rigels Halmusaj, 24 vjeç, banues në Kamëz;
2. Aleksandër Daci, 26 vjeç, banues në Kamëz Tiranë;
3. Kristi Koleci, 22 vjeç, banues në Bathore;
4. Bashkim Mellungja, 30 vjeç, banues në Bathore;
5. Ndue Deshaj, 27 vjeç, banues në Bathore,
6. Fredi Mellungja, 26 vjeç, banues në Kamëz, si dhe u shpall në kërkim policor Gentian Lika.
Arrestimi i këtyre personave u krye pas një angazhimi maksimal të strukturave të policisë dhe vlerësimin në kohë të informacioneve mbi vendndodhjen e identitetin e tyre.
Të 5 shtetasit e lartpërmendur u kapën përgjatë momenteve të përgatitjes së një vjedhje me dhunë të një pike karburanti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Pogradec.
Në cilësinë e provës materiale, grupit të strukturuar kriminal i janë sekuestruar dy automjete tip “Golf” dhe “Benz”, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.
Sipas policisë të arrestuarit e sipërpërmendur janë autorë të dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda ndër të cilat:
1. Në datë 16 nëntor 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;
2. Në datë 24 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në Ibë të komunës Bërzhitë;
3. Në datë 13 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;
4. Në datë 15 janar 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Burrelit;
5. Në datë 17 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur Qendër-Gramsh;
6. Vjedhje me dhunë e një pike karburanti në qytetin e Vorës.
Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë të këtij grupi, si dhe për identifikimin e lidhjeve të tjera të mundshme kriminale. Materialet e çështjes i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorive të rretheve gjyqësore Tiranë, Mat, Laç dhe Lushnjë.
/balkanweb/





