3 tetor 2015 – Arrestohen dy autorët e krimit të rëndë të ndodhur dy net më parë në Tiranë, te lulishtja “1 Maji”.
Ata janë Sael Sulaj, 20 vjec, lindur dhe banues në Tiranë dhe Vasiel Çavo, 23 vjec, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës ka bërë me dije se është zbardhur dhe dinamika e ngjarjes së rëndë, duke konfirmuar kështu dhe pistën kryesore mbi të cilën ishte mbështetur policia që në momentin e ngjarjes. Motivi ka qenë konfikti i autorëve të dyshuar me të plagosurin Elvis Gaçaj, në lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, policia ka vënë në pranga dhe të plagosurin Elvis Gaçaj, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij u gjet 5 gramë kokainë.
Deklarata e policisë:
Pas një pune intensive nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë Tiranë, dhe konkretisht nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda, Sektori Kundër Krimit të Organizuar dhe Komisariati i Policisë nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë e mundur dokumentimi i plotë ligjor, zbulimi i motiveve dhe mekanizmit, si dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, të ngjarjes së ndodhur në afërsi të lulishtes 1 Maji në datë 1 tetor 2015, ku mbetën të vrarë shtetasit:
Kevin Rugova, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, shtetasja Aurora Oskian, 30 vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë, si dhe u plagos shtetasi Elvis Gacaj, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:
1-Sael Sulaj, 20 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.
2-Vasiel Çavo, 23 vjec, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u gjeten dhe sekuestruan një automatik model 56, (arma e krimit), 23 copë gëzhoja model 56, 6 copë gëzhoja model 54, veshjet e autorëve që kanë përdorur gjatë kryerjes krimit, si dhe një sërë provash të tjera të fiksuara në vendin e ngjarjes.
Motivi i ngjarjes ka qenë konfikti i autorëve të dyshuar me të plagosurin Elvis Gaçaj, në lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore është zbardhur i gjithë mekanizmi i ngjarjes, nga ku rezulton se rreth orës 19:40 të ditës së ngjarjes, dy autorët e dyshuar të armatosur me automatik kallshnikov dhe pistoletë TT, pasi kanë pikasur automjetin e BMW të shtetasit Elvis Gaçaj, të parkuar në brendësi të pallateve në afërsi të lulishtes 1 Maji, janë fshehur në brendësi të dy hyrjeve të pallatit në pritje të ekzekutuarve për veprën penale.
Pas disa minutash, kur në makinë kanë hyrë Elvis Gaçaj dhe pasagjerët e tjerë, kanë qëlluar në drejtim të makinës, dhe më pas janë larguar nga dy drejtime të ndryshme drejt lumit të Lanës, ku edhe kanë hedhur dhe armët e krimit.
Aktualisht vazhdon puna nga forcat RENEA, për gjetjen e armës së dytë të krimit, atë pistoletë.
Gjithashtu, u arrestua dhe i plagosuri Elvis Gaçaj, pasi gjatë kontrollit në banesën që përdorte si bazë për shpërndarje të lëndëve narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan 5 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë dhe një peshore.
Të gjitha provat e grumbulluara dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyësor Tiranë për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”.
/S.L. portali DurresLajm/





