Falë inteligjencës informative, finalizohet operacioni policor i koduar “Pjezga”. Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe 2 armë të ftohta (pistoletë, dorezë dhe shkop metalik), ndërsa janë vënë në pranga babë e bir që i posedonin ato. Arma e zjarrit u gjet në banesën e këtyre shtetasve, ndërsa armët e ftohta, në automjetin me të cilin qarkullonte 21-vjeçari i arrestuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, me mbështetjen e pandërprerë të inteligjencës informative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e fenomeneve kriminale, kanë siguruar informacion se 2 shtetas (babë e bir) mbanin pa leje armë zjarri dhe armë të ftohta. Menjëherë është organizuar puna dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Pjezga”, është goditur një rast tjetër i kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gjelosh Hajdari, 52 vjeç dhe Armando Hajdari, 21 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Pjezgë, Shijak.
Në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, ndërsa në automjetin me të cilin qarkullonte 21-vjeçari, u gjetën 2 armë të ftohta (dorezë dhe shkop metalik).
Arma e zjarrit dhe armët e ftohta u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.