Itali, 21 mars 2014 – Dritan Muça, 20 vjeç, dhe Alket Lazri, 18 vjeç, u arrestuan nga policia e qytetit të Kapuas (afër Napolit), sepse u kapën duke vjedhur në një kantier disa kaldaja me gaz të sapo montuara. Pas arrestit, nëpërmjet gjykimit të shkurtuar u dënuan me nga 8 muaj burg me kusht. Për ta doli dhe urdhër dëbimi nga Italia. Në zbatim të këtij urdhëri policia i shoqëroi në portin e Barit, ku do të imbarkohen në tragetin e së premtes për t’i dëbuar në drejtim të portit të Durrësit.

Karabinierët po në zonën e Kapuas neutralizuan një bandë hajdutësh shqiptarë të specializuar në vjedhje shtëpish. Banda e përbërë nga katër anëtarë kishte vjedhur në disa banesa para dhe sende me vlerë. Tre anëtarë të grupit u arrestuan i katërti u shpëtoi karabinierëve.

Genci Kaja, 29 vjeç dhe Viktor Kozi, 28 vjeç u arrestuan në Portin e Barit, ndërsa po përpiqeshin të largoheshin për në Shqipëri. Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Genci Kajën dhe arrest shtëpie për Viktor Kozin.

Nga ana tjetër, Florenc Begu, 24 vjeç u arrestua në qytetin e Kapuas dhe gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg. Ai u transferua në burgun Sekondiliano të Napolit.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/